Në një kampionat si ky që zhvillojmë ne, diferencat e cilësisë i bën vetëm shkalla e epitetit dhe metaforës që zgjidhet nga komentatorët sportivë. Çdo javë, shikojmë përballje ekipesh me diferencë 30-35 pikësh, që në fushë as nuk e tregojnë diferencën, madje herë pas here ngatërron ekipin që është në krye dhe atë që rri në fund të renditjes. Ky është edhe “territory” më komod për ata, që në shumë raste, vendosin fatin e një ndeshjeje futbolli, arbitrat. Këta të fundit, kanë dy “seanca gjyqësore” që i bëhen në fundjavë, ajo publike dhe tjetra administrative. Një gjyq bëhet në Televizion, me fjalë të bukura, terma të rregulloreve të fundit, rumbullakosje të situatave, ndërkohë që, gjyqi tjetër (ai I vërteti) i bëhet, aty ku duhet…në komisionin tekniko-gjykues.
Ironia e fatit është se thuajse janë të njëjtët njerëz që i bëjnë të dyja gjyqet, por ndryshe thonë në TV dhe ndryshe “shkruajnë” në komision. Duke qënë se “fenomeni Xhaja” është “në mode” ditët e fundit, po marrim logjikën e moviolave televizive pas derbit: – “Nuk ishte penallti ajo e Bathes, por arbitri ka mbajtur një ndeshje shumë të mirë….??!! Cfarë? Ka akorduar një penallti të paqenë që ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes dhe në fund ka arbitruar mirë?!
Jemi dëshmitarë, se arbitri i fundit që i ka dhënë penallti Partizanit, nuk i dihet më adresa (që penalltinë e tij moviolistët e kanë aprovuar në gjyqin publik), ndërkohë që ky Juxhini duhet të kishte prenotuar që tani pushimet me një gabim teknik të tillë në një ndeshje derbi. Por jo, nuk është ashtu si duket… Eshtë me keq akoma. Për opinionin publik duhej hedhur një tjetër tezë në qarkullim: “penalltia e derbit ishte dhuratë”, ndërkohë që në komision “penalltia e derbit ishte vendim i saktë”… Javën e ardhshme do të presim me interes ku do të na shfaqet “fenomeni Xhaja”…
Sfidanti.al