Futbolli monopol ekskluziv i UEFA-s

Ju kujtohet disa kohë më parë në Tiranë kur gjithë ambjenti u ndez dhe kampi u nda në pro Dukës dhe pro Veliajt? Tashmë ai “siklet” ka kaluar por ajo që mbetet nga gjithë historia është “arroganca” e UEFA-s për të caktuar rregulla edhe në vende autonome ku janë njerëzit ata që duhet të zgjedhin se si do të luajnë dhe jo një zyrë luksoze në Nyon. Gjithsesi, kjo nuk është thjesht një histori e izoluar sepse UEFA e ka bërë praktikë ruajtjen e këij standarti në të gjitha vendet ku futbolli i saj është anëtarësuar.

Gjatë ditëve të fundit, në Angli qeveria laburiste po mendon që të krijojë një komision të posaçëm për të mbikëqyrur ecurinë e futbollit në pesë ligat kryesore të futbollit. Vetë kryeministri Sir Keir Starmer po mendon për të krijuar një organ që rregullon aktivitetet futbollistike në vend, me rregulla krejtësisht të reja. Por ky hap mund të ketë një pasojë të rëndë për Anglinë, e cila mund të humbasë të drejtën e organizimit të Euro 2028. Ky është momenti kur UEFA nxjerr armën e saj të preferuar, kërcënimin. Mediat angleze kanë publikuar një letër që Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Teodor Teodoridis, i ka dërguar qeverisë angleze, duke e paralajmëruar për masat me të cilat mund të përballet. Vende të ndryshme, halle të njëjta. Me “miellin e gjermanit” nuk duhet të bëhet shaka.

Nga Pirro Bardhyli