Shqipëria dështon, Gjeorgjia dominon në Tiranë

Në “Air Albania” u luajt këtë të martë ndeshja e dytë e Grupit B1 të Ligës së Kombeve mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, ku Shqipëria pësoi disfatë 0-1. Ndeshja nisi me një ritëm jo shumë të lartë, me ekipet që u treguan të kujdesshme. Arbër Hoxha lëshoi sinjale të qarta në minutën e 12-të, me një goditje nga distanca. Në të 25-tën, mysafirët u shfaqën të rrezikshëm, por  Kvara nuk devijoi dot një top të ardhur nga krahët.

Të besuarit e Sagnol shtuan presionin në fundin e fraksionit, duke vendosur në vështirësi prapavijën kuqezi. Në të 55-tën, Kitieshvilli “flirtoi” me golin, me fat Shqipëria. Të besuarit e Sylvinhos iu afruan golit në minutën e 60-të, gjatë zhvillimit të një goditje këndi, një gjuajtje e Bajramit mund të ishte një asist për Kumbullën, që gjithsesi nuk shtyu topin në rrjetë. Gjeorgjia zhbllokoi ndeshjen në minutën e 71-të, me anë të Giorgi Kochorashvili. Pavarësisht rasteve, nuk pati asnjë ndryshim rezultati deri në fund teksa duhet theksuar se për kuqezinjtë mungoi qartësia para portës teksa nuk regjistroi asnjë goditje në kuadrat. Shqipëria renditet në vendin e dytë në Ligën B, pas dy ndeshjes ka grumbulluar 3 pikë duke marrë një goditje në shanset e kuqezinjve në rrugëtimin në Ligën e Kombeve. Gjeorgjia kryeson grupin, me 6 pikë në dy ndeshje.

sfidanti.al