Atletico Madrid bën goditjen e madhe në sulm

Atletico Madrid ka njoftuar zyrtarisht afrimin e Alexander Sorloth. Sulmuesi norvegjez kalon te Atletico nga radhët e Villarreali-t dhe ka nënshkruar kontratë me klubin kryeqytetas deri në vitin 2028. Sipas mediave spanjolle, marrëveshja është mbyllur për shifrën e 32 milionë eurove, plus 8 milionë të tjera në formën e bonuseve. Alexander Sorloth ishte alternativa e dytë në merkato për sulmin e “Los Colchoneros”, pasi kërkohej me ngulm transferimi i Artem Dovbyk nga Girona, por ky i fundit u transferua te Roma në Serie A. Norvegjezi vjen nga një sezon në të cilin shënoi 26 gola në 41 ndeshje për Villarreal, duke e bërë atë golashënuesin e dytë në La Liga. E shtuna ishte ditë zyrtarizimesh në radhët e Atletico Madrid, pasi edhe Robin Le Normand la skuadrën e Real Sociedad, për t’iu bashkuar skuadrës së Diego Simeones.

sfidanti.al