Van Dijk nuk rinovon e mund të largohet nga Liverpool

Kontrata e Virgil Van Dijk me Liverpool do të skadojë në më pak se një vit, por për momentin negociatat për një rinovim janë të bllokuara. Tekniku i ri Arne Slot do të donte ta mbante holandezin me çdo kusht, por klubi nuk është i gatshëm ta mbajë pa një rinovim dhe me rrezikun e humbjes së tij në një transferim të lirë në verën e vitit 2025. Kështu Reds kanë filluar të marrin masa paraprake në rast të largimit të qendërmbrojtësit holandez. Sipas portalit britanik TEAMtalk, në krye të listës së drejtorit sportiv Richard Hughes është emri i një mbrojtësi që luan në Serie A. Tani në moshën 33-vjeçare, Van Dijk është ndoshta në kërkim të sfidës së fundit të karrierës së tij dhe pas 7 sezonesh në krye të mbrojtjes së Liverpool mund të ketë ardhur koha të ndryshojë ambjent. Për këtë arsye për momentin holandezi nuk shfaqet i interesuar për vazhdimin e kontratës me Reds, pavarësisht se menaxheri i ri Arne Slot ka prioritet qëndrimin e tij. Megjithatë, drejtuesit e klubit në Anfield Road nuk duan të kapen të papërgatitur. Në rast të shitjes së holandezit tashmë ata kanë hartuar një listë të zëvendësuesve të mundshëm, në krye të së cilës është emri i Gleison Bremer. Sipas TEAMtalk, Liverpool tashmë ka kontaktuar me Juventus për të nisur negociatat dhe për ta sjellë brazilianin në Premier League. Bardhezinjtë, të cilët kanë siguruar ish-qendërmbrojtësin e Toros me kontratë deri në vitin 2028, duket se janë përgjigjur duke kërkuar jo më pak se 70 milionë euro për ta lënë të largohet. Madje, vetë Bremer, gjatë Kupës së Amerikës së fundit, nuk shprehu fjalë tepër qetësuese për tifozët e Juventus.

sfidanti.al