FSHF-së i vjen në ndihmë CAS-i për një fitore…jashtë fushe

Në kulmin e polemikave që shoqëruan humbjen e Italisë dhe mënyrën se si erdhi ajo disfatë ku Elseid Hysaj është vendosur në qëndër të uraganit, FSHF reklamon një fitore shumë larg fushës së blertë të Euro 2024. Me krenari, ky institucion publikoi dje vendimin e CAS-it ët Lozanës që sipas FSHF “zhbën” asamblenë e KOKSH-it dhe si rrjedhojë edhe vendimet e marra, mesa të cilave zgjedhjen e kreut Fidel Ylli. Mes mijëra halleve të futbollit shqiptar dhe për më tepër në kulmin e Euro 2024 ku pas pak orësh Shqipëria do të luajë ndeshjen më të rëndësishme të turneut, në shtëpinë e futbollit krenohen me një vendim që sipas tyre bën drejtësi në institucionin më të lartë sportiv të vendit.

Komunikata zyrtare:

Gjykata e Arbitrazhit për Sport (CAS) ka vendosur në favor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke përmbysur vendimet e marra gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë (KOKSH) të mbajtur më 10 janar 2021.

Pikat Kryesore të Vendimit:

  1. Vendimet e Asamblesë së KOKSH shpallen të pavlefshme: CAS ka shpallur të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH e cila kishte miratuar statutin e ri. Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit.
  2. Parregullsi Procedurale: CAS konstatoi se KOKSH nuk njoftoi siç duhet FSHF-në për asamblenë dhe lejoi pjesëmarrjen dhe votimin e personave që nuk ishin anëtarë. Këto veprime shkelën procedurat e përcaktuara dhe të drejtat e FSHF-së si federatë anëtare.
  3. Mbrojtja e të drejtave të FSHF-së: Duke përmbysur vendimet e asamblesë, CAS ka vendosur në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht për asambletë e KOKSH, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë.
  4. Rimbursim Financiar: KOKSH është urdhëruar të paguajë 4,000 CHF për shpenzimet ligjore të FSHF-së dhe të mbulojë 90% të kostove të arbitrazhit, duke reflektuar rëndësinë e shkeljeve procedurale.

FSHF është e kënaqur me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për Sport, i cili korrigjon problemet thelbësore të anëtarësisë së KOKSH. Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së integritetit dhe drejtësisë në qeverisjen e sportit në Shqipëri si dhe thekson faktin se si pasojë e tij, të gjitha asambletë e KOKSH të zhvilluara pas datës 10 janar 2021, perfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit dhe Komitetit Ekzekutiv aktual janë absolutisht të pavlefshme.

sfidanti.al