Robert Lewandowski është shprehur në më shumë se një rast se synon të qëndrojë te Barcelona edhe në sezonin e ardhshëm. Edhe katalanasit nuk janë kundër kësaj ideje, pavarësisht se muajin gusht polaku do të mbushë plot 36-vjeç. Por, klubi spanjoll kërkon një sakrificë financiare nga sulmuesi. Drejtuesit kërkojnë që Lewandowski të ulë rrogën e tij në mënyrë që Barça të ketë më shumë fonde për merkaton me blaugranat që janë tepër të interesuar për të firmosur me Inaki Williams nga Athletic Bilbao si dhe Dani Olmo të Leipzig. I gjendur para kësaj situate, Lewandowski ka lajmëruar agjentin e tij Pini Zahavi që të komunikojë me drejtuesit e Barcelonës. Kështu, javën e ardhshme Zahavi ka planifikuar një takim me drejtorin Deco si dhe presidentin Joan Laporta për të kuptuar më shumë rreth qëllimeve të spanjollëve. Tashmë, e ardhmja e polakut është sërish në dyshim nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët nga takimi i planifikuar. Aktualisht, Lewandowski përfiton mbi 25 milionë euro në vit nga katalanasit.
sfidanti.al