Finale katërshe edhe për vajzat

Formula “Final 4”, risia e FSHF-së në këtë edicion futbollistik nuk do të aplikohet vetëm në kampionatin “Abissnet Superiore” për djem, por edhe në kampionatin e vajzave. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga epilogu i këtij sezoni futbollistik në kampionatin e vajzave, katër skuadrat që do të jenë pjesë e “Final 4” janë shpallur tashmë, falë renditjes. Vllaznia, Apolonia, Partizani e Tirana janë katër ekipet që do të luajnë në “Final 4”, nga ku do të shpallet edhe skuadra kampione e sezonit futbollistik 2023-2024.

Por si do të funksionojë skema?

Pasi të përfundojnë edhe ndeshjet e mbetura të këtij edicioni, skuadrat e renditura nё vendin e  parё, dytё, tretë dhe të  katërt, do të zhvillojnë ndeshje play off sipas shortit më poshtë, që do të hidhet pas përfundimit të fazës së dytë:

  • Në vazon e parë do të jenë ekipet e renditura në vendin e 1-rë dhe të 2-të ;
  • Në vazon e dytë do të jenë ekipet e renditura në vendin e 3-të dhe të 4-të.

Ndeshjet do të zhvillohen me takime vajtje-ardhje, teksa sfidat e para do të zhvillohen në fushën e ekipeve të renditura më poshtë në renditje. Në rast barazimi tё pikёve pas dy takimeve tё lojës sё rregullt, skuadra e renditur mё mirё nё klasifikim kualifikohet pёr nё ndeshjen finale. Finalja e madhe që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni do të luhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”. Sakaq, dy ekipet që nuk kalojnë në finale do të zhvillojnë një ndeshje me një takim, për të përcaktuar vendin e tretë dhe të katërt, me ndeshjen që do të luhet po në “Shtëpinë e Futbollit”. Ekipi kampion i “Abissnet Superiore” për vajza do të përfaqësojë Shqipërinë në raundin para-eliminator në UEFA Champions League.

sfidanti.al