Guardiola për De Bruyne: Unë do doja që Kevin të qëndrojë

Nga Anglia raportohet se e ardhmja e Kevin de Bruyne është në një pikëpyetje të madhe. Mesfushori belg ka kontratë me Manchester City-n deri më 30 qershor 2025-ës dhe duket se kjo mund të jetë edhe data e përfundimit të aventurës së tij me “citizens” dhe në përgjithësi në Premier League. Trajneri i tij, Josep Guardiola, u ndal specifikisht në këtë temë në konferencën për mediet, ndërsa theksoi se ai do të dëshironte që De Bruyne të qëndrojë te City, por shtoi se për më shumë duhet pyetur vetë lojtari.

“Ju duhet t’ia bëni këtë pyetje Kevin-it, do të doja që ai të qëndronte me ne, por nuk e di. Dëgjoj dhe lexoj thashetheme, por nuk e di nëse ka një ofertë reale dhe nëse Arabia Saudite e do. Do të doja ta kisha akoma në skuadër”, tha shkurt Guardiola. Sipas lajmeve që qarkullojnë nëpër medie, për De Bruyne kanë shfaqur interes nga Arabia Saudite dhe nga MLS, ndërsa shtohet se vetë mesfushori do të preferonte më shumë si destinacion Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

sfidanti.al