Rei Manaj vazhdon të shënojë me një rregullsi të admirueshme në kampionatin turk dhe me golat e tij është kthyer në idhullin e tifozëve të Sivaspor. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare sot ka shënuar golin e tij të 12 në këtë edicion, duke i dhënë një mesazh të qartë trajnerit Silvinjo se po kalon një formë jashtëzakonisht të mirë. Goli i sotëm në ndeshjen ndaj Rizespor ishte spektakolar. Në minutën e 29 të ndeshjes, Manaj mori përsipër të ekzekutonte një goditje dënimi nga një distancë prej më shumë se 20 metrash.
Goditja e sulmuesit ishte e jashtëzakonshme duke u ndalur poshtë trekëndëshit të portës, për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij dhe për të ndezur edhe më shumë entuziazmin në tribunat e stadiumit ku brenda pak muajsh është kthyer në idhull për tifozerinë vendase. Përveç 12 golave në kampionat, Manaj ka shënuar edhe katër të tjerë në Kupën e Turqisë dhe në total ka realizuar 16 gola këtë edicion.