Rrëzim nga lartësia e milionave, Bartra thotë “Stop luftërave”

Do të duhej të provonte thjesht disa copa xhami që ta goditnin, që të kuptonte se ku ndodhej. Mark Bartra është padyshim një njeri me fat që mbeti gjallë pas sulmit me eksploziv që iu bë autobusit të Borusias së Dortmundit pak ditë më parë, dhe tashmë ai nuk po mendon për llogarinë e tij në bankë. Njeriu me rrogën vjetore miliona euro për pak mund të kishte humbur diçka “fare të vogël”, jetën, dhe gjithçka nga ato që kishte (dhe i ka ende) të bëhej krejt pa vlerë. Kjo tronditje, që ndodh rëndom madje në përmasa të tmerrshme në Siri apo Irak, e bëri edhe futbollistin katalanas të bie nga qielli i shtatë dhe të zbriste me këmbë në tokë.

“E vetmja gjë që kërkoj, E VETMJA, është që të jetojmë në paqe, dhe të lemë prapa luftërat”, ishin fjalët e tij, ndërsa përshkroi momentin e sulmit si “15 minutat më të tmerrshme të jetës sime”. Dakord, Mark. Kërkesa jote mund të “përkthehet” kështu: “Unë nuk dua të më sulmoni, nuk dua luftë ndaj meje”. Bartra nuk e kishte vrarë shumë mendjen për luftërat që vazhdojnë të shkatërrojnë popuj të tjerë, ndaj edhe kjo sjellje meriton një epitet me shkronja të mëdha: EGOIZEM.

Sfidanti.al