Trajneri i Union Berlin, gjobë dhe tri ndeshje pezullim

Tre javë skualifikim dhe 25 mijë euro gjobë. Ky është sanksioni që Federata Gjermane e Futbollit i dha Nenad Bjelica, trajnerit të Union Berlin, i cili goditi Leroy Sané në ndeshjen e prapambetur, atë të javës së 13-të të Bundesligës të luajtur mbrëmë kundër Bayern. Trajneri kroat do të mungojë në tri ndeshjet e ardhshme të Union Berlin, kundër Darmstadt, Leipzig dhe Wolfsburg.

Skuadra bavareze ishte në epërsi kur në minutën e 75-të trajneri i Union i dha një shuplakë sulmuesit kundërshtar, Leroy Sané, pas një debati që lindi për një mosmarrëveshje për një top që doli jashtë fushës. Bjelica u përjashtua menjëherë me karton të kuq dhe në fund të ndeshjes iu rikthye episodit, duke kërkuar falje por pjesërisht: “Kërkoj falje, por jo Sané”.

sfidanti.al