Juventus-Liverpool, finalja e përgjakur

Juventus-Liverpool, finalja e përgjakur nga dhuna dhe tragjedia në stadiumin Heysel të Brukselit. Ndeshja e fundit e sezonit 1984-1985 në UEFA Champions League vendosi përballë torinezët në periudhën e tyre të artë e të frymëzuar nga dyshja Platini-Boniek, përballë të kuqve në kulmin e lavdisë së tyre europiane. Sfida ishte caktuar të luhej në stadiumin “Heysel” të Brukselit, një kompleks i amortizuar dhe aspak i denjë për një ndeshje të këtyre përmasave ndërsa edhe masat e policisë belge linin për të dëshiruar pasi nuk u llogarit niveli i lartë i rrezikut për shkak të huliganëve anglezë që në vitet ‘80 ishin kryefjalë dhune në çdo stadium europian.

Në 29 maj të vitit 1985 atmosfera u nxeh në orët e pasdites kur një grup angelzësh kaluan gardhin ndarës dhe sulmuan tifozët juventinë e duke shkaktuar kaos që u pasua me rrëzimin e një muri në stadium. Atë pasdite të errët humbën jetën 39 njerëz, shumica e të cilëve italianë, ndërsa qindra të tjerë mes të cilëve edhe fëmijë, u plagosën. UEFA vendosi të mos i prishte planet për ta zhvilluar sfidën dhe 58 mijë të pranishmit në stadium ishin dëshmitarë të një sfide që për futbollin foli pak edhe pse Michel Platini shënoi me një 11-metërsh të kontestuar për më tepër e në këtë mënyrë Juventusi fitoi të parën Ligë Kampionesh ndërsa Liverpool u dënua me pezullim nga çdo aktivitet ndërkombëtar për 5 vitet në vazhdim deri në 1990-ën duke mbyllur një kapitull të artë që kulmoi me fitoret e Champions League në vitet 1977, 1978 dhe 1981.

sfidanti.al