E pazakontë: Vllaznia bën letër natën, frikë nga Kukësi apo…arbitrat!

Ndeshjet luhen ditën, por kjo nuk do të thotë se nata është pushim , madje në Superligë, sipas gojëve të këqia,  nata është tepër e rëndësishme.  Edhe Vllaznia, në prag të ndeshjes me pretendentët e Kukësit,  në orët e vona të natës, ka preferuar të bëjë një apel për  arbitrat, frika më e madhe e tyre.  Sidosmos kur luajnë me Kukësin, pale kur ndeshja do të luhet në stadiumin “Zeqir Ymeri”.  Çfarë thuhet në letrën e kesaj nate?  Duket si një përpjekje e dëshpëruar për të tërhequr veshin e arbitrave, të cilët kanë ndëshkuar pa të drejtën e Zotit shkodranët në ndeshjet e kaluara dhe kanë përkëdhelur kukësianët.  “Duam arbitrim korrekt , sepse do të udhëtojmë për të marrë pikë..”  Të gjithë nisen për të marrë pikë, ose për të bërë ndonjë të pabërë në Kukës, meqë ata akoma nuk njohin shijen e humbjes prej 27 javësh, vetëm Vllaznia është çuar natën, që të mos i preket nderi ..ditën! Në Kukës, kur kanë mësuar për letrën e Vllaznisë para ndeshjes me ta, kanë bërë një “gol” që nuk e ka emrin e Pejiç : “ Po kur luajtën me Skënderbeun në Korçë, kur kampionët fituan me sy mbyllur, nuk kishin letër dhe kalem për të shkruar një letër…!”

Trajneri Armando Cungu i Vllaznisë, kur shfaqet publikisht, tregon se kur ka qënë në stolin e Kukësit, ka shijuar nektarin e këtyre viteve si trajner, duke “pushtuar”  Europën,  më parë se të pushtonin tokën e kampionatit. Ama, kur flitet për strategjinë e natës, dhe jo atë ditës në fushë, Cungu ka më shumë frikë nga pushteti i presidentitGjici sesa nga  talenti i “presidentit” të fushës Pero Pejiç.  Edhe fjalët e kolegut Gjoka  se “ Kukësi fiton me Vllazninë falë eksperiencës” tingëllojnë shumë ironike për shkodranët,  bile u provokon humorin , aleatin e tyre natyral : “ Po, po është e vërtetë që kanë përvojë në ndeshjet me ne,  për këtë betohen edhe arbitrat..”. Ka “filluar” natën ndeshja Kukësi-Vllaznia,  me një letër disi të pazakontë,  le të shohim çfarë do të ndodhë ditën, me besimin në shprehjen popullore “ dita qesh punët e natës”.

Sfidanti.al