Pas Rey Manajt dhe Armando Sadikut që këtë javë kanë gjetur rrugën e rrjetës, një tjetër kandidat i shtohet listës së Kombëtares edhe pse do të jetë shumë e vështirë që trajneri Sylvinho të ndryshojë në mënyrë radikale zgjedhjet e tij të muajve të fundit. Lushnjari realizoi dy rrjeta në Turqi, ish-sulmuesi kuqezi, Armando Sadiku që duket edhe më larg projektit të brazilianit, gjeti golin në Indi por një “telash” më shumë në kokën e teknikut do të jetë edhe Indrit Tuçi që është duke shkëlqyer në kampionatin kroat.
Sulmuesi shqiptar ka pasur një marrëdhënie të mirë me golin këtë sezon. 5 gola kanë autorësinë e tij te Lokomotiva e Zagrabit. Tuçi ka gjetur rrugën e rrjetës edhe mbrëmjen e djeshme. Këtë herë “preja” e tij ka qenë Rijeka. Një pasim i gabuar nga lojtari kundërshtar shndërrohet në një asist të përsosur për 23-vjeçarin. Tuçi vihet në zotërim të topit dhe më pas mposht portierin e Rijekës me goditjen e tij. Mungesa e Brojës mund ta krijojë një vend për Tuçin i cili mund të jetë një alternativë më shumë për repartin e avancuar.
sfidanti.al