Ylli i Celsit, Eden Azar, iu përgjigj në një mënyrë interesante spekulimeve për transferimin e tij eventual të ardhshëm te Reali i Madridit. Kohët e fundit, po flitet, gjithnjë e më shpesh, se Eden Azari do të bëhet një galaktikas i ri, pra, do të përfundojë në “Santiago Bernabe”, pasi për të klubi “mbretëror” është gati që të paguajë rreth 100 milionë sterlina. Mbas ndeshjes së fundit të Celsit me Kristall Pallasin (1-2), Azari së bashku me bashkatdhetarin e tij, Krisitian Benteke, mori pjesë në emisionin sportiv të kanalit televiziv belg, “Plej Sport”.
“Nuk kam asgjë të veçantë për të thënë, unë mendoj për çdo ndeshje dhe përpiqem që të luaj sa më mirë”, vuri në dukje Azari në përgjigje të pyetjes së moderatorit lidhur me të ardhmen. Kurse pyetjes së drejtpërdrejtë të moderatorit, nëse atij i duket atraktive ideja e shpërnguljes së tij për në Spanjë, Azari, me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, iu përgjigj: “Përse, ju, vazhdimisht, përpiqeni që të bëni pyetje të sikletshme. Jo, jo, jo. Jam mirë, aty, ku jam. Kam një marrëveshje deri më 2020”, tha Azari.
sfidanti.al