Henri rikthehet në Francë, ish-“bomberi” pranë Kombëtares së “gjelave”

Tierri Henri nis një etapë të re si trajner. Ish-sulmuesi i njohur francez, pasi kishte kaluar vitet e fundit si asistenti i Roberto Martinez te Belgjika, tashmë do të ketë mundësi të punojë me ekipin përfaqësues të Francës.

Jo me ekipin A, të paktën për momentin, por me atë U21. Henri është emëruar si trajneri i ri i përfaqësues U21, me objektivin për ta çuar në fazën finale të Europianit të kësaj grupmoshe, por edhe me synimin për Lojërat Olimpike 2024, ku Franca merr pjesë si vend organizator, pasi ato zhvillohen në Paris. Henri ka firmosur deri në verën e vitit 2025, teksa shihet si një nga teknikët të cilët në të ardhmen do të bëjnë emër në arenën ndërkombëtare. Përveç eksperiencës si zëvendëstrajner te Belgjika, 46-vjeçari ka drejtuar më parë Monakon dhe kanadezët e Montreal Impakt.