Futbolli i së ardhmes po afrohet, nuk do t’i ngjajë të sotmit!

Marko Van Basten ka ide mjaft revolucionare, por nuk është i vetmi. Edhe vetë FIFA dhe UEFA sot po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e një ndryshimi që po e dërgon lojën më popullore të botës, përtej kufijve ku e kishin vendosur shpikësit anglezë dhe themeluesit e Bordit Ndërkombëtar (ku FIFA është vetëm një anëtar). Teknologjia është vetëm një nga hapat, edhe pse ndër më të rëndësishmit pasi tashmë futbolli po bën atë që shumë sporte të tjerë e kanë bërë me kohë.

Teknologjia do të përdoret për golat, penalltitë, kartonët dhe ngatërrim të identitetit të futbollistit. Kupa e Botës do të bëhet me 48 skuadra, Kampionati Europian do të kthehet në Ligën e Kombeve, ndërsa Liga e Kampionëve do të ndryshohet po ashtu.

Ndryshimet do të jenë shumë më të mëdha nëse do të merren në konsideratë propozimet e Van Bastetin që kryeson një grup teknik të FIFA-s. Ish-sulmuesi i famshëm holandez kërkon heqjen e pozicionit jashtë loje, gjuajtjen e penalltive pas barazimeve, dënim me minutazh ndaj lojtarëve që marrin kartonë (si hokej në akull), protestë vetëm nga kapiteni, kufizim të numrit të ndërhyrjeve të gabuara, uljen e numrit të lojtarëve në ekip në 8, më pak ndeshje në sezon, rritjen e numrit të ndërrimeve dhe mosndalimin e lojës gjatë ndërrimeve.

Shihet pra, që admiruesit e futbollit duhet të rrisin nivelin e përshtatshmërisë për të vazhduar me dashurinë ndaj sportit të zemrës.

Sfidanti.al