Etrit Berisha shpëton karrierën duke zbritur në Serinë B!

Është padyshim pjesë e historisë. Etrit Berisha ka shkëlqyer për kombëtaren shqiptare prej 11 vitesh, dhe ishte pjesë e skuadrës së paharruar që arriti deri në finalet e Kampionatit Europian në Francë në 2016. Gjithsesi, portieri dhe kapiteni kuqezi kaloi një sezon të kaluar krejtësisht për t’u harruar tek Torino, ndonëse duket se e ka gjetur shpëtimin. Mediat në Itali shkruajnë se Berisha do të zbresë në Serinë B, ndonëse për momentin nuk jepet emri i skuadrës për të cilën do të vazhdojë karrierën. Në moshën 34-vjeçare nuk është keq as niveli i dytë i futbollit italian, sidomos kur nuk arrin të luash në elitë.

Gardiani nga Kosova ka një histori të gjatë me futbollin në Apenine ku ka lënë një emër aspak për t’u hedhur poshtë. Ai kaloi nga Kalmari tek Lacio ku luajti për 3 sezone e pastaj për 3 vite të tjera tek Atalanta. Karrierën e vazhdoi me SPAL-in e Ferrarës, ndërsa nga viti 2021 ndodhet tek Torino. Vitin e kaluar ai u la në stol nga trajneri Juriç, duke mos luajtur asnjë minutë.

Sfidanti.al