Tirana nuk humbet kohë dhe ka nisur shpejt puën për sezonin e ardhshëm. Skuadra është pushim, ndërsa drejtuesit e klubit kanë bërë dy goditjet e para në merkaton e verës. Bardheblutë kanë firmosur me sulmuesin Kaina Nunes dhe portierin Gentian Selmani. Futbollisti brazilian transferohet te nënkampionët e Superligës, pasi mbylli sezonin me Vllazninë. Ky është viti i tretë për Nunez në kampionatin shqiptar, teksa më parë ka luajtur edhe me Kastriotin. Në 52 ndeshje të luajtura në dy sezonet e parë në Superligë, ai ka shënuar 12 gola.
Ndërkohë, Selmani i bashkohet Tiranës pas sezonit të fundit të luajtur me Laçin. Në xhiron e kombëtares shqiptare prej vitesh, portieri do të zëvendësojë Visar Bekaj që pritet të largohet nga Superliga. Kaina Nunes dhe Gentian Selmani janë vetëm dy afrimet e para për Tiranën, që pasi humbi titullin kampion në javën e fundit të sezonit dhe me shumë lojtarë të pezulluar, pritet të bëjë një revolucion të vërtetë në skuadër. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, klubi bardheblu rinovoi kontratën me trajnerin Orges Shehi.
Sfidanti.al