Andres Iniesta: Do të më pëlqente të kthehesha tek Barcelona!

Ka qenë dhe mbetet një nga më të mëdhenjtë. Kur themi Andres Iniesta nënkuptojmë një yll të futbollit, një legjendë të Spanjës dhe të Barcelonës, veçse edhe për të po vjen finishi. Iniesta, pasi fitoi Kupën e Botës dhe Europianin me kombëtaren, dhe gjithçka të mundshme me katalanasit, merr një hap për të ardhmen. Në moshën 39-vjeçare, lajmëron largimin nga skuadra e Superligës së Japonisë, Visel Kobe. Këtë nuk mundi ta bënte pa emocione të forta.

“Më pëlqen më shumë të flas për të tashmen, dhe e tanishme është që dua që të vazhdoj të luaj futboll për disa vite që më mbeten, – thotë ai, – Nuk dua ta përsëris shpesh, por do të më pëlqente shumë të kthehesha tek Barcelona në një moment të jetës sime, por mendoj se është diçka e largët”.

Mesfushori veteran është një nga lojtarët më fitues në historinë e këtij sporti duke marrë 37 trofe me Barcelonën dhe Spanjën në të gjitha nivelet e moshave, por edhe me Visel Koben në Japoni. Ai ka 6 sezone që është pjesë e skuadrës japoneze, por këtë vit ka luajtur vetëm tri ndeshje ndaj edhe vendosi për t’u larguar.

Sfidanti.al