Edhe pse nuk shënoi në ndeshjen e fundit, mbetet i veçantë. Myrto Uzuni ka hyrë në zemrat e tifozëve të Granadës, duke qenë protagonisti kryesor në sezonin e jashtëzakonshëm të ekipit. Skuadra bardhekuqe është praktikisht e ngjitur në elitën e futbollit spanjoll, dhe përkrahësit e Granadës kanë dalë në rrugët e qytetit duke pritur ekipin në kthimin nga Mirandesi, duke mbajtur në duar foton e Uzunit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte i rëndësishëm edhe këtë herë, duke nxjerrë me të kuqe një lojtar vendas që në minutat e para, e duke detyruar Mirandesin të luante me 10 lojtarë.
Më pas, pati një dorë të rëndësishme në golin e dytë që ktheu avantazhin 2-1 në fitoren përfundimtare 3-1. Sidoqoftë, tifozët e dinë se futbollisti beratas ka bërë shumë më tepër se kaq dhe jo më kot duan që të bëjnë foto me të. Uzuni ka 22 gola e 5 asistë këtë sezon në Ligën e Dytë të Spanjës, duke qenë thuajse i sigurt për fitimin e Këpucës së Artë, pra të titullit të shënuesit më të mirë, kur mbetet edhe një javë deri në përfundim.
Sfidanti.al