Pamjet filmike nuk kishin nevojë për asnjë koment, dhe vendimi i marrë nga Federata Shqiptare e Volejbollit ishte i pritshëm. Trajneri i Skënderbeut U18, Romeo Xeka, u përjashtua përjetë nga sporti pasi goditi me shuplakë dy lojtare të skuadrës së tij. Po ashtu, ushtroi dhunë psikologjike ndaj volejbollisteve të Skënderbeut. Kjo ndodhi gjatë njërës prej ndeshjeve finale për titull ndaj Dinamos. Komisioni i Disiplinës në Federatë vendosi t’ia hiqte përjetë Xekës licencën e trajnerit, ndërsa sqaroi se ky teknik kishte qenë edhe më parë objekt i ndëshkimeve financiare dhe sportive. Njëra nga volejbollistet e goditura me shuplakë deklaroi më pas se i kishte kërkuar vetë trajnerit që ta qëllonte.