Ishte një ndeshje për t’u fituar. E tillë ajo në “Arenën Air Albania” për Shqipërinë U17 të drejtuar nga trajneri Ervin Bulku. Ndaj Zvicrës U17 u arrit vetëm barazimi në ndeshjen e dytë të raundit elitë të Kampionatit Europian, një rezultat jo i keq, por që ia heq së tepërmi kuqezinjve shanset për të arritur kualifikimin historik për në fazën finale. Skuadra jonë e nisi më mirë ndeshjen dhe shënoi që në 17’ me anë të Sulejmanit, e ndërgjegjshme se i duhej suksesi pas humbjes 0-4 me Francën në të njëjtin stadium. Gjithsesi, pavarësisht se Shqipëria U17 luajti mjaft mirë, sërish Zvicra arriti të barazonte pas pushimit. Ishte Romano që shënoi në 66’.
Përpjekjet e të dyja skuadrave nuk dhanë gol tjetër dhe rezultati 1-1 i shkon më shumë për mbarë zviceranëve. Zvicra ka 4 pikë në grupin tonë të raundit elitë, duke pasur golaverazhin +3, ndërsa Shqipëria U17 ka vetëm 1 pikë dhe golaverazhin negativ -4. Kjo do të thotë se kuqezinjtë e Bulkut kanë nevojë për fitore të thellë në ndeshjen e fundit në grup ndaj Letonisë, gjithnjë në “Arenën Air Albania”, si dhe që Franca të fitojë ndaj zviceranëve me diferencë golash në “Elbasan Arenë”.
Sfidanti.al