Dy vëllezër përballë në një ndeshje basketbolli nuk ndodh shpesh, aq më pak në NBA. Gjithsesi, Mark dhe Pau Gasol e patën një tjetër duel, në takimin Memfis-San Antonio. Ishte vëllai i vogël, Marku që doli fitues ndaj vëllait më të famshëm dhe skuadra vendase, e ndihmuar prej tij, triumfoi 104-96. Mark Gasol shënoi 16 pikë, kapi 5 topa në tabela dhe shërbeu 7 asistë në 39 minuta lojë, ndërsa Pau shënoi 8 pikë, kapi 9 topa në tabela dhe dha një asist, ndonëse luajti më pak, vetëm 24 minuta. Kuptohet, për shkak të moshës.
San Antonio humbi një tjetër mundësi për të qenë pranë Golden Stejtit si skuadra me rekordin më të mirë të sezonit të rregullt, gjë që do ta ndihmonte për ta pasur në fushën e vet çdo ndeshje vendimtare në plej of. Kjo ishte humbja e 16-të e Spërsave, ndaj 14 të Golden Stejtit, që fitoi thellë ndaj Miluokit me shifrat 117-92 edhe pse nuk e ka Kevin Durantin e dëmtuar.
Për San Antonion, këtë herë nuk shkëlqeu aq shumë Leonard që shënoi vetëm 22 pikë, ndërsa Olldrixh shtoi 21, ndërsa Memfis pati 6 lojtarë që shënuan më shumë se 10 pikë, mbi të gjithë Konlei 19 dhe Randolf 18.
Sfidanti.al