Teuta bën ligjin në basketbollin e meshkujve, merr edhe Kupën!

Një tjetër sukses në atë që mund të quhet epoka e saj. Teuta e Durrësit fitoi Kupën e Shqipërisë në basketboll për meshkuj dhe konfirmoi veten si skuadra më e mirë në vend. Durrsakët mposhtën 82-74 Kamzën në finalen e luajtur në Sallën Sportive “Dhimitraq Goga” të qytetit të tyre, por që i përket ekipit rival, Goga Basket. Kampionët fituan periudhën e parë me 7 pikë epërsi, ndërsa në pushim diferenca ishte 4 pikë, 50-46. Gara ishte e fortë deri në fund, por durrsakët ia dolën që ta rrisnin avantazhin dhe të arrinin fitoren. Më të mirët në parket ishin basketbollistët e huaj, si Peterson, Saliven apo Simpson të Teutës, dhe Tomas, Bouers apo Grej për Kamzën. Ndërsa lojtarët shqiptar, Thano shënoi 18 pikë për kamzalinjtë dhe Hysa 13 për vendasit, ndërsa realizuesi më i mirë ishte Peterson me 29 pikë. Teuta fitoi në gjysmëfinale ndaj Tiranës, ndërsa Kamza kaloi Besëlidhjen vetëm pas kohës shtesë. Ky ishte suksesi i radhës i skuadrës së trajnerit Lazimi, që pason dy titujt kampion radhazi, Superkupën e fituar vjet si dhe Kupën e Shqipërisë që e mori në 2021.

Sfidanti.al