Gjokoviç në finalen e 10-të, për titullin e 10-të në Australian Open!

Në këtë pikë nuk e ka mundur askush, ndonëse gjithmonë mund të ketë një herë të parë. Novak Gjokoviç u kualifikua për në finalen e Grand Slemit të parë të vitit, Australian Open, dhe do të synojë të thellojë edhe më shumë rekordin e tij. Tenisti serb fitoi 3-0 me sete me amerikanin Tomi Pol, 7-5, 6-1, 6-2, një fitore bindëse dhe e thellë, ndonëse seti i parë u bë i vështirë. Nole kryesoi 5-1, pastaj shkoi në 5-5 dhe pati nerva nga ana e ish-kampionit, që pastaj e mblodhi veten dhe nuk pati histori. U deshën 2 orë e 21 minuta për suksesin, ndërsa 9 herë kampioni do të synojë titullin e 10-të në finalen e 10-të. Pra, i ka fituar të gjitha finalet, edhe pse ndaj Stefanos Cicipasit nuk do të jetë aspak e lehtë. Vitin e kaluar, Gjokoviç nuk u lejua të mbronte titullin edhe pse kishte marrë një raport mjekësor për mungesën e vaksinimit ndaj Kovidit. Edhe sot e kësaj dite, ai nuk është i vaksinuar.

Sfidanti.al