Ëndrra është e njëjta, rikthimi në Bundesligë. Klaus Gjasula, edhe pse është 33-vjeç nuk heq dorë nga synimi, ndërsa mediat gjermane raportojnë se mesfushori kuqezi e ka kaluar dëmtimin dhe është bashkuar me shokët e ekipit. Gjasula është pjesë e Darmshtatit në Bundesligën e dytë, ndërsa mungoi për disa kohë, si dhe nuk luajti në ndeshjen përgatitore ndaj Bernës në fazën përgatitore. Futbollisti shqiptar, që cilësohet si shefi i mbrojtjes, pritet të japë një kontribut të rëndësishëm kur të rifillojë sezoni në Gjermani, ndërsa Darmshtati kryeson renditjen pas fazës së parë me 36 pikë, duke lënë pas Hamburgun e famshëm, Haidenhajmin, Kaizerslauternin apo Hanoverin. Veterani shkëlqeu në Bundesligë në 2020 në radhët e Paderbornit, ndërsa mbetet një nga lojtarët e rëndësishëm të kombëtares shqiptare, duke u aktivizuar shpesh nën drejtimin e trajnerit Edi Reja.
Sfidanti.al