Urimi shqip i Parmës, fjalën “gëzuar” e thotë Joli Lika i ekipit U13!

Me këtë ekip na lidh një emër i yni. Fanelën e Parmës, kur ishte në Serinë A, e veshi 8 vjet më parë Andi Lila, madje mbrojtësi i kombëtares pati meritën dhe fati që të shënonte edhe gola. Që nga ajo kohë, ndërsa kavajasi tundi rrjetën e Interit e të Sasuolos, nuk kemi pasur lidhje me klubin emilian të Italisë së Veriut, porse ky klub nuk na paska harruar. Televizioni i Parmës botoi mesazhin e urimit për festën e Krishtlindjeve pikërisht këtë të shtunë, ku lojtarët e të gjitha moshave dhe të të gjitha prejardhjeve e thanë fjalën “gëzuar” në gjuhën e tyre amtare. Padyshim dominonte italishtja, dhe tepër e pranishme ishte edhe spanjishtja apo portugalishtja për lojtarë me origjinë braziliane, veçse nuk munguan gjuhët ballkanase, ato sllave dhe greqishtja. Mes të tjerave edhe urimi në shqip. Kush mund të jetë ky djalosh fare i vogël që tha fjalën “gëzuar”? Sipas një hulumtimi në faqen e Akademisë së Parmës, futbollisti me origjinë shqiptare duhet të jetë Joli Lika, mbrojtës i ekipit U13, pra që është në hapat e parë të karrierës. Në ekipin Shpresa emilian luan edhe shqiptari me origjinë nga Kosova, Ledian Sahitaj, ndërsa që të dy padyshim shpresojnë që të arrijnë Serinë A, si Andi Lila në sezonin 2014-2015.

Sfidanti.al