Tashmë kemi zyrtarisht një afat. Kombëtarja shqiptare do ta ketë trajnerin e ri përpara fundit të vitit, diçka që e ka deklaruar Armand Duka. Presidenti i FSHF-së, ka pohuar në një deklarim për emisionin e Botërorit në RTSH se pasardhësi i Rejës do të mësohet përpara fundit të vitit. Duka është shprehur se në garë ka disa kandidatë, se janë bërë diskutime të shumta duke pasur parasysh edhe profilin teknik, por edhe aspektin financiar. Ai ka përmendur një zv. trajner të Brazilit, ndihmës të Tites, ndërsa në studio është përmendur emri i Silvinjos që aktualisht nuk është pjesë e stafit teknik të “Selesaos”. Duket se ai është tallur duke përmendur brazilianin, e duke thënë se pret përfundimin e Botërorit, për të gjetur ndoshta një trajner më të mirë. Gjithsesi, favorit për stolin e kombëtares mbetet Luixhi Di Biaxho, dhe po ashtu kandidatët më të preferuar janë ata nga Italia. Pagesa për trajnerin e ri nuk pritet të jetë më e madhe sesa ajo e Rejës, ndonëse mund të ndryshojë formula, duke i shtuar 50 apo 100 000 euro në edicion dhe që tekniku të marrë përsipër shpenzimet që kanë lidhje me punën e tij në kombëtare.
Sfidanti.al