Milinkoviç “djeg” Lacion për derbin, çfarë gafe për mungesën ndaj Romës

Ishte me kartonë të verdhë dhe rrezikonte të pezullohej për një ndeshje kaq të rëndësishme. Sergej Milinkoviç-Saviç u kursye fillimisht nga trajneri Mauricio Sarri sepse mund të mos luante dot për derbin e javës që vjen ndaj Romës në Serinë A. Gjithsesi, ndërsa përballja me Salernitanën nisi të shkonte për keq, Sarri u detyrua të hidhte në fushë lojtarin ndoshta më të talentuar që ka në ekip, sidomos në mungesë të kapitenit Çiro Imobile të dëmtuar. Ylli ofensiv serbe u aktivizua në 64’ dhe nuk vonoi që fati i keq ta ndiqte me të verdhën që iu dha në 72’. Kjo do të thotë se Milinkoviç-Saviç nuk do të luajë dot ndaj Romës, në një ndeshje tepër të ndjerë për tifozët. Ndoshta, Lacio do të gjejë forca për të reaguar dhe për të fituar edhe pa të. Zv. kapiteni i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ndërkaq, u aktivizua vetëm në 87’ në këtë humbje.

Sfidanti.al