E snobuan për Topin e Artë? Mesi kthehet numri 1 në Europë!

Jemi ende në tetor dhe superylli ka arritur nivele që as nuk mendoheshin. Në moshën 35-vjeçare, Lionel Mesi ka statistika dhe vlerësime më të larta sesa Kilian Mbape apo Erling Haland, ndërsa rrezikon rekordet e “kanibalit” Kristiano Ronaldo. Argjentinasi ishte i pakrahasueshëm në fitoren 7-2 të Paris SG ndaj Makabit të Haifës në “Parkun e Princave”, duke shënuar dy gola e duke shërbyer dy asistë. Statistikat thotë se Mesi është i pari lojtar në 5 ligat kryesore europiane që arrin në numra me dy shifra për golat dhe asistët këtë sezon, ka 11 gola dhe 12 asiste. Në total, bashkë me kontributin për Argjentinën, ai ka 15 gola e 12 asistë në vetëm 18 ndeshje!

E përditshmja e shquar franceze, “L’Ekip”, vlerësoi 35-vjeçarin me dy nota 9 dhe 3 teta, që do të thotë “i shkëlqyer” dhe “shumë mirë”. Sa për krahasim, Kilian Mbapeja, që gjithashtu shënoi dy gola, mori katër nota 8 dhe një 7. Në kopertinën e saj, “L’Ekip” titulloi “Të lëshuar nga zinxhirët” për të përshkruar paraqitjen e PSG-së dhe të treshes Mesi-Mbape-Nejmar. Mediat europiane shkruajnë se magjistari i futbollit dëshiron t’i tregojë sidomos organizatorëve të Topit të Artë se çfarë gabimi kanë bërë duke mos e konsideruar këtë vit të denjë për të luftuar për trofeun që e ka fituar 7 herë.

Sfidanti.al