Edicionin e kaluar ishte në gojën e të gjithëve. Vërtetë luante në Serinë D, por gjithsesi me 37 gola Dardan Vuthaj u bë rekormeni historik i futbollit italian. Askush në historinë e Apenineve nuk kishte shënuar kaq në një sezon, duke nisur me Serinë A e deri tek amatorët. Pasi realizoi këtë arritje me Novarën, Vuthaj bindi Foxhën që ta merrte duke u rritur me një nivel, pasi tani është në Serinë C. Nuk vonoi aspak që sulmuesi shqiptar ta tregonte veten pasi ai realizoi që në ndeshjen e parë të kampionatit. Edhe pse Foxha u mund 1-3 në shtëpi me Latinën, sërish Vuthaj e shpëtoi veten duke shënuar rrjetën e vetme për të vetët. Ngushtoi shifrat në 1-2 edhe pse kjo nuk mjaftoi që të paktën të shmangej humbja. Gjithsesi, viti sportiv pritet i mirë siç shpresojnë tifozët dhe siç shprehet edhe vetë shqiptari për mediat puljeze. Besohet se Vuthaj do të arrijë të shënojë sërish shumë gola, dhe në moshën 26-vjeçare i ka të gjitha mundësitë që të ngjitet në hierarkinë e futbollit italian, të paktën në Serinë B, por pse jo edhe në elitë.
Sfidanti.al