Çelsi deshi të thyente rekordet kuqezi me Brojën: Na jepni 50 milionë euro për kartonin!

Mundej edhe që të ishte larguar. Armando Broja nuk e pati të sigurt rinovimin tek Çelsi pavarësisht se sot ka në dorë kontratën e re. Klubi londinez kërkoi 40 milionë paundë stërlina në bisedimet e fundit që pati për kartonin e sulmuesit kuqezi. Ishte Uest Hemi, gjithashtu i Londrës, që këmbënguli fort për ta marrë futbollistin e kombëtares shqiptare, por vlera që duhej të paguante e bëri që të tërhiqej. Kjo shifër do të thotë rreth 48 milionë euro, pra shumë më tepër sesa vlerësimi në treg për kartonin e 20-vjeçarit, dhe më tepër sesa rreth 30-35 milionë euro që u diskutua gjatë verës. Pasi bisedimet me Uest Hemin dështuan, Çelsi ra dakord me lojtarin për të rinovuar për 6 vitet e ardhshme, deri në 2028.

Për rrogën e Brojës nuk ka asnjë informacion zyrtar, por mediat angleze gjykojnë se ai duhet ta ketë dyfishuar pagesën, deri në rreth 1 milionë euro në sezon. Sulmuesi kuqezi është aktivizuar si zëvendësues në disa ndeshje këtë sezon në Premier Ligë, si në fushën e Evertonit, në atë të Sauthemptonit si dhe në sfidën e fundit fituar 2-1 pikërisht ndaj Uest Hemit. Shqiptari ishte dhënë dy herë hua vitet e kaluara, tek Viteshe në Holandë dhe tek Sauthemptoni në elitën e futbollit anglez sezonin e kaluar, kur shkëlqeu me 9 gola gjithsej, 6 prej të cilëve në kampionat.

Sfidanti.al