Ku ka zë, s’është pa gjë. Kështu thotë populli dhe kështu ndodhi me Taulant Seferin i cili e realizoi më në fund transferimin që deshi. Ndoshta nuk e kishte synimin për në Ukrainë, një vend që ndodhet në luftë, por gjithsesi fati i tij ishte Vorskla e Poltavës, ekipi i elitës së futbollit të këtij vendi, e cila kënaqi financiarisht edhe Tiranën, edhe vetë sulmuesin. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut do t’i kushtojë Vorsklës 500 000 euro, para që i merr klubi shqiptar, ndërsa vetë për 3 sezone pritet të fitojë mbi 700 000 euro. Për 25-vjeçarin pati edhe oferta të tjera, por mesa duket më pak tërheqëse nga ana financiare sesa kjo e ukrainasve. Sulmuesi pati një sezon në nivel të lartë në Superligë në 2021-2022, duke shënuar 19 gola e duke fituar edhe titullin kampion. Për kampionët nuk do të jetë e lehtë të zëvendësohet një lojtar i tillë, i cili ishte padyshim më i miri i kampionatit edicionin e kaluar, dhe kjo mund të ndikojë në paraqitjen e këtij sezoni.
Sfidanti.al