Gjokoviç fiton ndeshjen e ditës dhe fikson foton e ditës!

Numri 1 i botës e kishte bërë edhe dy herë më parë, dhe ia doli sërish edhe pse e pati shumë, shumë të vështirë. Për të tretën ndeshje në karrierën e tij në Uimbëlldon, Novak Gjokoviç, u kthye nga buza e greminës kur ishte 0-2 me sete për të fituar 3-2. Përballë italianit 20-vjeçar, Janik Siner, kampioni në fuqi i Uimbëlldonit humbi dy setet e parë 5-7 e 2-6, por pastaj reagoi fort duke marrë të tjerët 6-3, 6-2 e 6-2. U deshën 3 orë e 36 minuta, por erdhi fitorja siç kishte ndodhur në Uimbëlldon edhe ndaj Garsia Lopezit në 2005 dhe në finalen e vjetshme ndaj Stefanos Cicipasit. Në total, ai ka fituar 7 ndeshje të tilla në Grand Sleme përfshi edhe një duel legjendar ndaj Rozher Federerit në US Open në 2011. Në sfidën ndaj Sinerit ai fiksoi edhe foton më të bukur të ditës, duke festuar krahë hapur si aeroplan i shtrirë në tokë pas fitores së një pike. Në gjysmëfinale, Gjokoviç do të ndeshet me britanikun Kameron Norri që fitoi 3-2 ndaj francezit Gofin.

Sfidanti.al