Shorti i kupave të Europës, fati i madh i Tiranës në Champions e ka emrin Dudelanzh!

Kjo ishte dita që pritej nga tifozët dhe ekipet, dhe doli e mbarë. Të paktën, në letër, skuadrat shqiptare patën short të mirë pasi goglat u përzgjodhën në selinë e UEFA-s, në Nion të Zvicrës. Tirana ishte më me fat se gjithë të tjerët, pasi në raundin e parë eliminator në Champions do të ndeshte me një rival nga Luksemburgu, pikërisht me më të dobëtin e mundshëm. Kundërshtar është Dudelanzhi, një pengesë teorikisht e kapërcyeshme nga kampionët e Shqipërisë, që duan të kenë sukses edhe më të madh sesa dy vjet më parë kur eliminuan Dinamon e Tbilisit dhe u mundën pa fat nga Crvena Zvezda e Beogradit. Ndeshja e parë luhet jashtë fushe në 5 korrik, ndërsa ajo e kthimit në 12 në “Arenën Air Albania”.

Edhe në Ligën e Konferencës nuk na doli keq, ndonëse jo me fatin e Tiranës. Laçi ndeshet me Iskën e Danilovgradit, skuadër nga Mali i Zi dhe Partizani ka rival Saburtalon e Gjeorgjisë, me sfidat e para në Shqipëri, dhe të dytat jashtë fushe. Kurbinasit e trajnerit Shpëtim Duro janë shumë ambiciozë pas arritjeve të mëdha që patën verën e kaluar. Gjithashtu, në Ligën e Konferencës, laçianët kaluan fillimisht Podgoricën malazeze, dhe pastaj Universitatean e Krajovës të Rumanisë. Ata u ndalën vetëm të raundin e tretë eliminator nga një ekip me emër të madh si Anderlehti. Partizani do të ndeshte me Saburtalon nga Gjeorgjia, një rival jo edhe aq i lehtë, por që mund të kalohet, ndërsa të kuqtë patën rritje fazën e dytë të sezonit me trajnerin Dritan Mehmeti. Ndeshjet e para në Ligën e Konferencës luhen në 7 korrik dhe të kthimit në 14.

Champions, raundi i parë eliminator

Dudelanzh-Tirana, ndeshjet në 5 e 12 korrik.

Liga e Konferencës, raundi i parë eliminator

Laçi-Iskra Danilovgrad (Mali i Zi), Saburtalo (Gjeorgji)-Partizani.

Ndeshjet e para, në 7 korrik dhe ndeshjet e kthimit në 14 korrik.

Sfidanti.al