Ishte ndeshja për të festuar. Një shqiptar i lumtur luajti në ligën elitë të futbollit australian, dhe ky ishte Besart Berisha. Ish-sulmuesi i kombëtares, deshi të kremtonte, në ndeshjen e Melburn Viktërit ndaj Adelaides, mundësinë për të luajtur në përfaqësuesen e Kosovës, tani e tutje. Në një ndeshje të rëndësishme edhe për renditjen, futbollisti veteran ia arriti qëllimit.
Pasi ndihmoi shokët për të shënuar, realizoi objektivin, që ta celebronte me një gol shansin për të veshur bluzën e shtetit të tij të lindjes. Goli i tij, në minutën e 81-të, ishte i dyti për Melburnin, pas atij të shënuar nga Marko Rohas. Ishte gjithashtu rrjeta e tij e 98-të në Ligën A, duke thelluar rekordin që mban vetë dhe duke iu drejtuar shifrës të veçantë 100. Nga këta gola, 50 i ka me Melburnin, dhe këtë edicion është më i miri i shënuesve me 16 goditje.
Skuadra e tij shpreson të fitojë titullin këtë sezon, dhe ndodhet në vendin e dytë në renditje, 8 pikë pas kryesueses Sidnei. Melburni është në pozita të forta, pavarësisht se rrezikoi në fund me Adelaiden, pasi diferenca me vendin e tretë është plot 11 pikë.
Sfidanti.al