Ishte një kohë e lumtur kur kjo dyshe shkëlqente në “Kamp Nou”, presidenti në tribunën VIP dhe superylli i ri në fushën e lojës. Zhoan Laporta dhe Lionel Mesi ishin dy nga personalitetet e Barcelonës në 2008 apo 2009, përveç trajnerit Guardiola, Ksavit, Iniestës e të tjerëve. Në atë kohë, Mesi ishte “bir i Katalonjës” dhe Laportën e kishte si një “baba”. Sot, pas gati 14 vitesh gjithçka është kthyer kokëposhtë. Mesi u largua vjet mes lotëve për tek Paris SG, ndërsa Laporta u rikthye si president për ta bërë Barçëm sërish të madhe. Që në momentin e ndarjes u fol për krisje, sikur klubi nuk donte ta mbante legjendën argjentinase, ndërsa vetë presidenti deklaroi se “ne donim që Mesi të qendronte, por ishin rregullat financiare që nuk na lejuan si dhe oferta nga PSG-ja”. Pra, sipas tij “Pleshti” u largua për para. Kjo e ka zemëruar shumë Mesin, aq më shumë që Laporta ka nënkuptuar se argjentinasi mund të kthehet në “Kamp Nou”. Kapiteni i Argjentinës dhe babai i tij janë të inatosur me presidentin katalanas ndërsa as nuk bëhet fjalë që ai të kthehet tek “blaugranët”.
Sfidanti.al