Kuptohet që vëmendja kryesore është për atë që ndodh në pistë, me duelin me Maks Verstapenit të Red Bullit dhe Sharl Lëklerkut të Ferrarit, por jo më pak interes kanë lajmet “gosip”, të tilla që në këtë rast lidhen me “aksesorët” e pilotëve. Ljuis Hamilton është duke u kthyer në “armikun publik numër 1” për drejtuesit e Formula 1 pasi ata i kanë shpallur luftë zbukurimeve të arta në veshë, hundë apo kudo që të jetë e dukshme. Kjo e Formula 1 duket si fushata kundër “shfaqjeve të huaja” në vitet 70-të në Shqipërinë e Enver Hoxhës, por është marrë seriozisht. Gjithsesi, rezistenca e Hamiltonit ka bërë që ultimatumi për heqjen e tyre të shtyhet e të shtyhet, që nga fillimi i sezonit. Lajmi i fundit është që pilotët do të lejohen edhe 3 gara të tjera për t’i mbajtur, ndërsa afati i fundit më parë ishte Çmimi i Madh i Montekarlos këtë fundjavë.
Sfidanti.al