Cili e bëri “golin” e finales : Rama, Duka apo Veliaj ?

Cili e mori meritën më të madhe të finales së Tiranës? Kryeministri Rama, presidenti Duka apo kryetari i Bashkisë, Veliaj. Edhe pse themi me stil popullor se bashkimi bën fuqi, prapëseprapë, na e do zakoni, të gjejmë fituesin dhe humbësin edhe..kur flitet për forca të bashkuara. Në Qeveri thonë se nëse Rama nuk do të kishte bërë paktin “sekret” me Ceferinin, shefin e UEFA-s, finalja do t’ia kishte mbathur me të katra gjetiu në Europë.

Në FSHF , atje ku njerëzit e zyrave vegjetojnë duke iu falur perëndisë së tyre të rremë , besojnë kokë e këmbë se UEFA dhe Ceferini e sollën finalen Roma-Fejnord vetëm për presidentin Duka, si dhuratë që konvertohet me 4 vite të tjera..sipër topit! Kurse në Bashkinë e Tiranës, si “lojarin më të mirë të ndeshjes” triangolare të shefave, kanë shpallur kryetarin Veliaj.

Italianët shënuan dhe fituan me anë të Zaniolos që bëri golin , ne akoma nuk po e gjejmë dot se cili nga shefat tanë e bëri golin e finales ! Pale kur thonë se pas kësaj finaleje, e cila pritet të na ndryshojë edhe cilësinë e jetës, do të ndizet si me fitil një finale tjetër, ku shefi i madh , më në fund, do ta mbajë ndeshjen drejt, aq drejt, sa do ta pësojë ..dashuria e vjetër, presidenti Duka.

Sfidanti.al