Kjo gjendje do të jetë deri të mërkurën në përfundim të ndeshjes. Sa më shumë afron momenti i sfidës Roma-Fejënord, aq më shumë shtohet shqetësimi dhe ngarkesa e punës. Në Pallatin e Kongreseve mbahen çdo ditë mbledhje pa fund nën drejtimin e UEFA-s. Mbi 1500 forca policie dhe rreth 600 punonjës privatë të sigurisë do të jenë në gatishmëri për finalen e Ligës së Konferencës. Rrethimet janë vendosur, ndërsa bëhen provat e kontrolleve elektronike.
Pritet dyndje e madhe sidomos të martën e të mërkurën për biletat dhe akreditimet. Brenda rrethimit janë vendosur pajisjet për mediat që do të jenë në këtë finale, kryesisht të huaja. Televizionet kanë ambientin e tyre edhe përtej atyre që quhen Kolonat, jashtë sheshit para stadiumit. Po ashtu, në krahun jugor të tribunës kryesore janë vendosur gjeneratorët për të siguruar energjinë në çdo rast. Punimet vazhdojnë, me mjete të ndryshme që hyjnë e dalin nga rrethimet dhe punonjësit e vullnetarët që punojnë apo bëhen gati. Ndërsa shqyrton gjithçka në të gjitha anët, të bie në sy që ndriçimi publik është harruar të fiket gjatë ditës, edhe në këtë kohë të krizës energjetike.
Gjithsesi, gjëra që ndodhin, ndërsa mësojmë se fusha e stadiumit është tashmë në kushtet optimale, e vlerësuar me 5 yje. Pritet të shihet sesi do të bëhet mbikqyrja e përkrahësve të Romës e Fejënordit. Tifozeritë do të vijnë në impiant të ndara, holandezët nga veriu, dhe italianët nga jugu, në po ato drejtime ku do të jenë tribunat ku do të qendrojnë. Për të mos krijuar probleme, Sheshi Nënë Tereza është lënë i zbrazur, ndërsa në të kaluarën ka pasur gjithmonë ekran të madh dhe vend për tifozët. Kryeqyteti shqiptar pret finalen e Ligës së Konferencës me shpresën se gjithçka do të shkojë mbarë.
Sfidanti.al