Rikthimi i Gllazgou Rejnxhërsit, synon një titull europian pas 50 vitesh

Vendi që përfaqëson është i vogël, më pak se 78 000 km2 dhe me pak më shumë se 5.3 milionë banorë. Gjithsesi, duke qenë pjesë e Britanisë së Madhe, Skocia është një vend i madh futbolli, një nga dy shpikësit dhe që ka kampionat po aq të vjetër sa Anglia. Kjo ka bërë që dy skuadrat kryesore të saj, Sëlltiku dhe Gllazgou Rejnxhërsi, të cilësoheshin fuqi klasike europiane, dhe deri në vitet 70-të kanë qenë vërtet të tilla. Nëse Sëlltiku u shpall kampion i Europës në 1967 dhe finalist i Kupës së Kampionëve në 1970, Rejnxhërsi ka qenë një shkallë më poshtë, edhe pse në Premier Ligën vendase është numri 1.

Në 1972 fitoi Kupën e Kupave të Europës, ndërsa ka humbur finale në 1967 në Kupën e Kupave ndaj Bajernit apo në 2008 në Kupën UEFA ndaj Zenitit të Shën Peterburgut të Rusisë. Mbrëmjen e djeshme arriti finalen e Ligës së Europës (ish-Kupës UEFA) dhe pas 50 vjetësh ka mundësi të synojë një trofe europian. Në Kupën e Kampionëve ka arritur gjysmëfinalen në vitet 60-të. Skuadra ka mbi 300 ndeshje në Europë, sot drejtohet nga trajneri holandez, Van Bronkhorst, ndërsa lojtarët në suksesin ndaj Lajpcigut gjerman ishin këta: Mekgregor, Tavernier, Goldson, Bejsi, Barishiç, Xhek (Balogun 59’), Lundstram, Kamara, Rajt (Arfild 58’), Aribo (Sakala 45’), Kent.

Sfidanti.al