“Mbreti i basketbollit”, e ndoshta lojtari më i mirë i historisë (sa e vështirë ta ndash krahasim me Majkëll Xhordanin), mendon se në Los Anxhelos mund të ketë sukses vitin tjetër. Do të jetë 38 vjeç, por gjithsesi ndihet mirë dhe thotë se bashkë me dy yjet e tjerë të Lejkërsave mund ta thonë fjalën e tyre, pra të pretendojnë titullin në 2023. Lebron Xhejmsi ka kontratë në LA pikërisht deri në 2023 dhe shprehet se “problemi këtë sezon ishte që unë, Entoni Dejvisi dhe Uestbruku luajtëm vetëm 21 ndeshje së bashku, dhe kjo nuk na lejoi të jepnim atë që kishim mundësi të jepnim”. Kapiteni thotë se trajneri Frenk Vogel (tashmë i shkarkuar) përdori 41 pesëshe të ndryshme, që do të thotë një për çdo dy ndeshje! Dëmtimet dhe Kovidi prishën shumë punë dhe Lejkërsat nuk arritën as në plej in, pavarësisht se Lebroni zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me mesatare 30.3 pikë për ndeshje. Nuk dihet nëse drejtuesit e klubit dhe trajneri i ardhshëm do të kenë besim tek treshja, ndonëse Dejvis është ende 29-30 vjeç, ndërsa Uesbruku do të jetë 34.
Sfidanti.al