Duket pak e habitshme që lojtarët e një skuadre që ka fituar 6 herë Championsin në histori, dhe që janë 9 herë radhazi kampionë të Gjermanisë, të jenë kaq shumë të ç’ekuilibruar përpara një ndeshjeje ku duhet të përmbysin thjesht një humbje 0-1. Bajerni do të luajë sonte në orën 21:00 në “Alianc Arenë” ndaj Vijarrealit spanjoll, në ndeshjen e dytë të fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Mediat bavareze pyesin një psikolog sportiv për të mësuar se cila është gjendja psikologjike e yjeve si Levandovski, Myler, Kimih, Nojer dhe e të tjerëve. “Arrogancë, – thotë doktori i psikologjisë, Matias Hercog, për gazetën “Tages Cajtung” (TZ), – për shumë vite Bajerni ka menduar se e mundte kundërshtarin thjesht me anë të pasimeve. Për fat të keq, kjo sjellje e keqe është rikthyer, pasi lojtarët thonë se do të japin maksimumin, por nuk do ta kritikojnë veten nëse humbasin. Për fat të keq këto paraqitje me kaq shumë luhatje padyshim që kanë të bëjnë me përgatitjen psikologjike. Ato shpjegohen vetëm nga koka, ndryshe nuk mund të shpjegohet që një ndeshje ata janë klas botëror, dhe një ndeshje tjetër janë shumë dobët”. Tifozët duan të dinë nëse Bajernin do ta mbajnë nervat për t’ia dalë sot.
Sfidanti.al