Në Itali thonë se është kthyer Interi i dhjetorit dhe shkakton frikë

Nuk ishte ndonjë fitore e jashtëzakonshme, as nuk qe nevoja që të vihej këmba në “frena”. Gjithsesi, edhe për vetëm 45 minuta të nivelit të lartë, Interi bindi mediat dhe publikun në Itali se është rikthyer. Suksesi 2-0 ndaj Veronës u arrit në vetëm 8 minuta në pjesën e parë kur Barela e Xheko shënuan në 22’ dhe 30’, e “La Gazeta delo Sport” titulloi: Është kthyer Interi i dhjetorit dhe shkakton frikë”. E përditshmja thekson se Perishiç është mbreti i asisteve, dhe Handanoviç mbreti i ndeshjeve pa pësuar gol.

“Kishim nevojë për një ndeshje të rëndësishme si ajo në Torino ndaj Juventusit, – tha trajneri Inzagi, – këtë herë patëm ndonjë ditë më shumë në dispozicion për ta përgatitur sfidën. E kontrolluam dhe rrezikuam shumë pak. E dinim se nëse nuk do të fitonim sot, do ta kishin anuluar provën e madhe në Torino. Gjithsesi, djemtë u treguan shumë të zotët. Nuk dua të veçoj ndonjë emër, nuk do të ishte e drejtë, pasi gjithë skuadra luajti shumë mirë”. Interi ka 66 pikë duke pasur shpresa për titull, duke qenë vetëm 1 pikë prapa Milanit që luan sonte ndaj Torinos, ndërsa mbeten edhe 7 ndeshje deri në fund.

Sfidanti.al