Dominimi i Ferrarit vazhdon në Australi, katastrofë për Verstapenin

Titulli botëror i fituar vjet do të mbetet “tek” të paktën pas këtij sezoni. Kështu duket se do të ndodhë me Maks Verstapenin, që pësoi një tjetër katastrofë këtë sezon të Formula 1, duke braktisur garën në Çmimin e Madh të Australisë në gjysmën e saj. Nga makina Red Bull doli flakë, ndërsa dominimi në Melburn ishte i Ferrarit. Sharl Lëklerk arriti fitoren e dytë në 3 gara këtë edicion dhe u shkëput nga rivalët në renditjen për titull. Pas pilotit nga Montekarlo dolën Sergio Perez i Red Bullit dhe Xhorxh Rasëll i Mercedesit. Ish-kampioni i botës, Ljuis Hamilton, ishte i katërti dhe u shpreh shumë i lumtur.

Vetë Lëklerku tha se “është gara e tretë dhe është e vështirë të flitet që tani për titullin, por ne kemi një makinë shumë të fortë, ndaj edhe shpresoj të vazhdojmë kështu”. “Nëse do të vazhdojmë kështu, kemi mundësi për titullin, – theksoi piloti i Ferrarit, – më në fund mund të buzëqeshim pas dy vitesh të vështira. Gara nuk ishte aq e lehtë, sidomos pas makinës së sigurisë, por pas dy-tri kthesash makina u përmirësua”. Lëklerku ka 71 pikë ndaj 37 pikëve të Rasëllit dhe 33 të Sainzit, ndërsa Ferrari dominon në renditjen për skuadrat me 104 pikë, duke qenë i shkëputur nga rivalët.

Sfidanti.al