NBA, Donçiç udhëheq Dallasin në fitoren e 50-të të sezonit

U desh të kalonin 7 vjet që të arrihej diçka e tillë. Me gjasë, ekipi nga Teksasi po kthehet dalë nga dalë në nivelet e dikurshme kur në parket ishte Dirk Novicki, ndërsa udhëheqësi i sotëm është gjithashtu europian. Luka Donçiç ishte në komandë, ndërsa Dallas Maveriksat mundën thellë Detroitin, 131-113, duke arritur fitoren e 50-të të sezonit në NBA. “Një arritje e madhe, – tha Donçiçi, – sidomos sepse ne e nisëm shumë keq sezonin”. Edhe pse nuk zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme, sërish ai pati 26 pikë në 34 minuta në parket, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 14 asistë, një ndihmë shumë e madhe për shokët. Për këtë, ai u vlerësua me notën e lartë 17, por e gjithë pesëshja titullare e Dallasit mori nota të larta, madje Donçiç pati më të ultën. Kjo, sepse ylli slloven e humbi topin 6 herë dhe sepse gaboi shumë për tri pikë (2 realizime nga 11 gjuajtje). Dallasi është në vend të 4-ët në Konferencën Perëndimore dhe do të ketë faktorin fushë në favor në plej of, ndërsa do të synojë të kalojë Golden Stejtin për vendin e tretë.

Sfidanti.al