Verstapen: Ajo që ndodhi në fund ishte shumë dëshpëruese

Të premten e pati makinën shumë mirë nën kontroll, dhe ishte më i shpejti në provat e lira në Bahrein. Të shtunën, kampioni i botës nisi të kishte probleme në makinën e tij Red Bull, ndonëse ende shpresonte për sukses. Gjithsesi, gjatë garës kuptoi se mundësia më e mirë ishte të kapte vendin e dytë, dhe atë gjë po realizonte, derisa erdhi momenti fatal. Makina e tij pësoi defekt në pompën e karburantit dhe humbi fuqinë, gjë që e detyroi Maks Verstapenin të tërhiqet nga Çmimi i Madh i parë i sezonit në Formula 1. “Ajo që ndodhi në fund ishte padyshim shumë dëshpëruese, – tha Verstapeni, – ne patëm probleme edhe më përpara, edhe gjatë provave. Nuk u ndjeva si të premten, por gjithsesi vendi i dytë do të kishte qenë i mirë. Kjo nuk qe e mundur që të arrihej”. Në fjalët e tij në radio, ai iu drejtua specialistëve të skuadrës se “në nivele të tilla, këto gabime nuk duhet të ndodhin”.

Sfidanti.al