Si do t’ia bëjë Bundesliga me tifozë “idiotë” si ai në Bohum?!

Një ndeshje u detyrua të braktisej dhe një hije e zezë mbuloi kampionatin gjerman. Bohum-Borusia e Mynshengladbahut nuk shkoi deri në fund, u ndërpre 20 minuta para mbylljes dhe u vendos që gjithçka të përfundonte aty, pasi një “tifoz idiot” goditi arbitrin me një gotë birre. Gladbahu fitoi 2-0, aq sa ishte në avantazh në momentin që u mbyll sfida, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Në Bundesligë po pyesin sesi do t’ia bëjnë në javët e ardhshme nëse “tifozi idiot” i Bohumit shfaqet edhe në stadiume të tjera? Si mund të ndalohen këta njerëz, përse ekzistojnë, dhe si mund të vazhdojë kampionati kështu? Në Gjermani kanë qenë krenarë me disiplinën e futbollit të tyre, që rinisi i pari në pandemi, dhe që nuk ka pasur dhunë siç ndodh në Francë, e deri në Spanjë. Jo më kot, në kohën e Leninit thuhej se “në Gjermani nuk bëhet revolucion, sepse kanë frikë se prishin barin e lulishteve duke e shkelur”. Gjithsesi, kjo tani po vihet në dyshim.

Sfidanti.al